Deklaratë për shtyp 26 Mars 2012
Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve u njoh me propozimet e konkursit për monumentin e 100 vjetorit të pavarsisë. Me anë të kësaj deklarate duam të përshëndesim nismën e autoriteteve për të përkujtuar këtë moment historik për kombin tonë, përmes veprave monumentale të artit, arkitekturës e dizajnit urban. Unioni shpreh gjithashtu simpatinë për hapjen e konkursit të ideve ndaj gjithë komunitetit krijues shqipfolës kudo në botë. Sidoqoftë, Unioni shpreh një shqetësim serioz për cilësinë e shumë prej punëve të paraqitura, e cila është rezultat sa i mangësive në formimin teknik, kritik e estetik të disa prej pjesëmarrësve por edhe i paqartësive në mënyrën e organizimit të konkursit. Fakti që në konkurs nuk është përcaktuar hapësira e kushtuar monumentit, duke mos qartësuar kontekstin urban ku do të ndrërhyet, ka ndikuar në mënyrë të pa mohushme cilësinë e punëve të paraqitura.
Vendimmarrja për këto çështje kërkon një punë serioze organizative dhe terma të qarta reference ku duhet të kontribuonin ekspertë dhe institucione të specializuara të historisë, urbanistikës, arkitekturës, artit, dizajnit dhe sidomos skulpturës e pejzazhit. Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve inkurajon autoritetet të mos nxitohen në përzgjedhjen e fituesit dhe t’a riorganizojnë këtë konkurs në bashkëpunim me partnerë të specializuar. Gjithashtu nxisim organizatorët të parandalojnë, përmes termave të referencës sa më të qarta reminishenca të artit totalitar apo nacionalizmat turbo-folklorike. Le të shmangim gabimet historike që kanë kryer edhe disa nga fqinjët tanë të cilët, në kërkim të një identiteti të ri, i kanë kthyer sytë nga monumentalizmi pseudo-historik . Vendi ynë ka një histori e kulturë qartësishtë të provuar, pra le të jetë ky monument në një simbol që përkujton të kaluarën duke u kthyer në të njëjtin moment në një simbol të shoqërisë bashkëkohore ku jetojmë. Le të garantojmë një proces transparent që siguron një produkt kulturor me cilësi dhe dinjitet për këtë moment historik mbarëkombëtar i cili mbart vlera më të larta se simbolikat sipërfaqësore.Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve mbetet i hapur të japë ndihmesën e tij konkrete në këtë drejtim.
Comments are closed