ÇMIMI I ARKITEKTURËS SHQIPTARE 2014

CMIMI AUA

 

Deklarata për shtyp e shpalljes së fituesve të “Çmimit të Arkitekturës Shqiptare 2014”

 

Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve ka kënaqësinë të njoftojë dhënien e “Çmimit të Arkitekturës Shqiptare 2014” në dy kadegori, për arkitektë të afirmuar dhe për të rinj, deri në 40 vjeç. Çmimi nderon arkitektë të cilët kanë dalluar, nëpërmjet veprimtarisë së tyre, duke krijuar raste të ekselencës në fushën e Arkitekturës, Urbanizmit dhe të Planifikimit Urban. Ky çmim është një takim i përvitshëm ku përmes vlerësimit të figurave të spikatura, synohet të nxitet debati mbi qytetin bashkëkohor dhe ku, nëpërmjet stimulimit të praktikave më të mira, kërkohet të jepet një kontribut social mbi bashkëkuptimin e rolit të arkitektit, urbanistit dhe planifikuesit në shoqërinë bashkëkohore shqiptare.

Juria e përbërë nga profesionistë vendas dhe të huaj, të fushës, vendosi t’i japë Artan Raçës “Çmimin e Arkitekturës Shqiptare 2014”, duke vlerësuar kontributin e tij në arkitekturën bashkëkohore shqiptare, falë edhe një gjuhe vetjake që arkitekti ka arritur të krijojë pavarësisht vështirësive të tregut të ndërtimit në vendin tonë.

Skënder Luarasit i jepet “Çmimi i Arkitekturës Shqiptare për të Rinj 2014”. Juria vlerëson në veçanti kërkimin inovativ që arkitekti ka kryer gjatë viteve të fundit, si dhe aftësinë e tij për të krijuar modele bashkëkohore dhe realizime arkitektonike, ku kërkimi teorik ndërthuret me veprimtarinë praktike, për të krijuar mënyra të reja të të vepruarit në territor.

Ceremonia e dhënies së çmimeve organizohet në datën 20 Mars 2014, ora 16:30, pranë Universitetit POLIS, Tiranë. Gjatë ceremonisë, dy fituesit do të kenë mundësinë të prezantojnë aktivitetin e tyre për publikun e pranishëm.

 


Motivimi i Jurisë

 

 

Artan Raça

 

Artan Raça, gjatë punës së tij si arkitekt, ka arritur të tregojë një ndjenjë të lartë të përkushtimit ndaj rolit dhe misionit që arkitekti ka në një shoqëri bashkëkohore. Vlerësohet për më tepër aftësia e tij për të qenë aktiv në momente kur nevoja për të ndërtuar shpejtë nënshtroi nevojë për të krijuar cilësi urbane. Pavarësisht deformimit të tregut të ndërtimit në vend, Artan Raça tregon se mund të bëhet arkitekturë cilësore dhe se mund të ketë kuptim kërkimi personal edhe në çaste ku përfitimi i menjëhershëm duket e vetmja zgjidhje. Kjo përqasje vërehet edhe në aktivitetin publiçistik të tij, ku nëpërmjet teksteve personale ose sjelljes në shqip të mjeshtrave të arkitekturës moderne, Artan Raça forcon më shumë edhe vetë kërkimin gjuhësor të arkitekturës së tij.

 

 

Skënder Luarasi

 

Skënder Luarasi vlerësohet si një ndër shembujt më të mirë të një arkitekti të ri shqiptar i cili, jo vetëm risjellë në vendin tonë metoda dhe teknika të përparuara botërore, por, nëpërmjet veprimtarisë së tij, arrin të japë kontribut në debatin ndërkombëtar të zhvillimeve bashkëkohore në arkitekturë. Falë kërkimit të tij teorik, Skënder Luarasi eksploron ndikimin që zhvillimet teknologjike në fushën e mbledhjes dhe përdorimit të informacionit mund të kenë në mënyrën se si mendohet dhe projektohet arkitektura. Për më tepër, ai arrin të përdori në praktikë këto metoda inovative, duke realizuar ndërtesa që shprehin një ndjenjë të fortë të një estetike të re. Vlerësohet nga juria fakti që Skënder Luarasi arrin të tregojë se kërkimi personal në arkitekturë, sado abstrakt apo inovator mund të duket, lehtësishtë mund të përkthehet në hapësira arkitektonike të realizueshme.


Përbërja e Jurisë

 

Dr. Vera Bushati (kryetare)

Arkitekte, Studiuese e Historisë së Arkitekturës

Tiranë, Shqipëri

 

Dr. Arben Shtylla

Arkitekt

Tiranë, Shqipëri

 

Dr. Antonino Di Raimo

Arkitekt

Romë, Itali

 

Dr. Loris Rossi

Arkitekt

Romë, Itali

 

Doc. Sotir Dhamo

Arkitekt, Botues

Tiranë, Shqipëri

 

Ark. Elvan Dajko

Arkitekt

Tiranë, Shqipëri

 

Ark. Ledian Bregasi

Arkitekt, Kyetari i Unionit Shqiptar të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve

Tiranë, Shqipëri

 

Urb. Anila Gjika

Planifikuese

Tiranë, Shqipëri


Biografia e Artan Raçës

 

Artan Raça ka lindur më 10 prill të vitit 1964 në Tiranë. Mbaron studimet e larta në degën e arkitekturës në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit në Tiranë në vitin 1987 me temë diplome Hotel Restorant Mirdita në Rrëshen. Fillon punën si arkitekt në vitin 1989 në ISP nr.1, (Instituti i  Studimeve dhe Projektimeve nr.1) ku paraqet punimin e diplomës në këshillin teknik si variant të mundshëm për ndërtim.

Gjatë viteve 1990-1993 punon në ISP nr.4 dhe ISPUN (Instituti I Studimeve Urbane dhe të Ndërtimit). Në korrik të vitit 1993, me dëshirën e tij largohet nga ISPUN dhe fillon karrierën e tij si profesionist i lirë duke punuar si projektues në fushën e arkitekturës dhe dizajnit me studio raça arkitektura me qendër në Tiranë, aktivitet që e vazhdon deri në ditët e sotme duke projektuar objekte të fushave të ndryshme si dhe duke realizuar punime të ndryshme në fushën e dizajnit.

Nga viti 1997 deri në vitin 1999 jep mësim si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Inxhinjerisë së Ndërtimit në Tiranë në degën e Arkitekturës. Ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2013 jep mësim po si pedagog i jashtëm në Degën e Arkitekturës në Universitetin POLIS në Tiranë.

Merr pjesë në debatin mbi arkitekturën me disa artikuj të shkruar në shtypin e kohës dhe në periodikët e arkitekturës si Forum A+P për problemet e arkitekturës në përgjithësi dhe të ndërtimeve të kohës moderne në Tiranë. Në vitin 2000 përkthen dhe boton librin e mirënjohur të arkitektit Le Corbusier, Drejt një Arkitekture.

Gjatë karrierës së tij si arkitekt realizon projekte të ndryshme dhe bashkëpunon me firma të ndryshme ndërtimi për realizimin e projekteve në Tiranë dhe jashtë saj. Nga rreth 120 projekte të realizuara si profesionist i lirë më të rëndësishmet mund të rendisim ato në fushën e banimit kolektiv dhe individual si: pallatet e banimit në Tiranë në rrugën Aleksandër Mojsiu, ai në rrugën Naim Frashëri pranë Mozaikut të Tiranës, kompleksi i banimit në rrugën 5 Maji, pallati i banimit në rrugën Mihal Grameno, pallati i Verdhë në rrugën Hoxha Tahsin i cili botohet në disa periodikë e botime kritike për arkitekturën dhe së fundi u nominua për çmimin Europian Mies van der Rohe në Barcelonë, pallati i banimit Guri i Bardhë në rrugën Frederik Shiroka, pallati i banimit në rrugën Frosina Plaku, pallati i banimit Linja në rrugën Don Bosko, pallati i banimit Transatlantiku në rrugën Irfan Tomini, Pallati i banimit Titaniku në Shkëmbin e Kavajës në Golem. Gjithashtu ka realizuar projektin e objektit për zyra, Lingoto Center sot Universiteti Mesdhetar në Tiranë, Rikonstruksionin e Hotel Turizmit në Përmet, etj.

Në fushën e ndërtimeve të banesës individuale,  më të spikatura janë realizimi i Tre vilave të Bardha në Shirokë si dhe Rikonstruksioni i Vilës Qeveritare nr.4 në territorin e Ish Pallatit të Brigadave në Tiranë. Pjesë e punës projektuese janë edhe shumë projekte të parealizuara si projekt-ide apo projekt-zbatime.

Gjatë viteve të fundit disa nga këto vepra kanë patur njohje të ndryshme dhe janë botuar në disa botime ndërkombëtare. Kështu Pallati i Verdhë në gusht të vitin 2008 është botuar në ballinën e website-t profesional të arkitekturës Europaconcorsi. Një kritikë për disa nga veprat e tij bëhet edhe në librin e Andrea Bullerit: Suspended contemporaneity, QUODLIBET STUDIO 2012. Italy, si dhe në revistat AREA 118, dhe Paessaggio urbano – Urban Design 6/2011.

Qyteti i tij i përhershëm i banimit ka qënë Tirana, ku banon edhe sot,  në rrugën Budi, me familjen, gruan Blerina dhe djalin e tij 12 vjeçar Danielin.

 

Biografia e Skënder Luarasit

 

Skënder Luarasi është arkitekt dhe Adjunct Professor në Departamentin e Arkitekturës së interierit në Rhode Island School of Design and Wentworth Institute of Technology. Praktika e tij profesionale zhvillohet në Boston dhe Shqipëri.

Skënder Luarasi specializohet në mënyrë të veçantë në projektimin arkitektonik të integruar, kompjuterimin dhe ideogramim, duke qenë se këto fusha prekin në mënyrë të tërthortë eksperiencën estetike, subjektivitetin dhe çeshtjet e shijes. Kërkimi i tij nëpërmjet projektimit përqëndrohet në këto fusha:

Imazhi i një logjike projektimi gjenerative dhe të marrëdhënieve, duke patur parasysh imazhin dixhital si një kusht të ri të komunikimit pamor; ngjarjet teknologjike dhe subjektive mbi strukturën e të cilave mbërthehen aspekte të tjera të projektit arkitektonik, si konteksti, shprehja estetike dhe materiali.

Ideogramimi: Si imazhi dixhital qëndron si një formë të dyfishtë e të brendashkruar, pra si pamje në ekran, por edhe si një entitet numëror i cili mund të ndryshojë parametrikisht, dhe si ky kusht ideografik krijon mundësi për të përshkruar dhe krijuar marëdhënie-imazhi mes llojeve të ndryshme të materialeve, ambientit dhe proceseve infrastrukturore.

Praktika arkitektonike dhe jovazhdimësitë informatike: Si metodat parametrike përdoren në mënyrë të integruar dhe strategjike për të shfrytëzuar kompleksitetin e praktikës arkitektonike, si në rastet e nevojave të brendshme subjektive, të kufizimeve kulturore apo ligjore, të takimit mes prodhimit high-tech dhe low-tech, si dhe në format e ndryshme të punës së ndërtimit dhe të praktikës teknologjike.

Skënder Luarasi ka diplomë Masteri në Arkitekturë nga MIT, Massachusetts Institute of Technology dhe aktualisht është duke kryer studimet e Doktoraturës në Yale University.

Ai ka dhënë mësim në The Architecture + Design Program në University of Massachusetts Amherst, në The School of Architecture and Construction Management në Washington State Univeristy dhe në Universitetin POLIS në Tiranë. Ai ka punuar si projektues për dEcoi architects/MIT Digital Design Group, Kennedy & Violich Architects Ltd dhe Finegold + Alexander Associates Inc.

Skënder Luarasi ka marrë pjesë në disa ACSAconferences, ku ka prezantuar projekte dhe punën e tij kërkimore. Ai ka publikuar një numër artikujsh në revistat Haecceity dhe Forum A+P

 

Mbi Çmimin e Arkitekturës Shqiptare

 

Qëllimi

Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve, për të promovuar si dhe për të vlerësuar kontributin e arkitektëve shqiptarë, në fushën e kërkimit, projektimit dhe realizimit të veprave arkitektonike dhe urbane, krijon “Çmimin për Arkitekturën Shqiptare”. Çmimi nderon arkitektë të cilët kanë dalluar nëpërmjet veprimtarisë së tyre duke krijuar raste të ekselencës në fushën e Arkitekturës, Urbanizmit dhe të Planifikimit Urban. Ky çmim është një takim i përvitshëm ku përmes vlerësimit të figurave të spikatura, synohet të nxitet debati mbi qytetin bashkëkohor dhe ku, nëpërmjet stimulimit të praktikave më të mira, kërkohet që të jepet një kontribut social mbi bashkëkuptimin e rolit të arkitektit, urbanistit dhe planifikuesit në shoqërinë bashkëkohore shqiptare. Çmimi i vitit 2014 jepet në dy kategori, “Çmimi i Arkitekturës Shqiptare 2014” dhe “Çmimi i Arkitekturës Shqiptare për të Rij 2014”.

 

Kriteret e Përzgjedhjes

Çmimi i Arkitekturës Shqiptare i jepet profesionistëve që kanë dhënë kontribut në përparimin e arkitekturës shqiptare, pavarësisht nga kombësia, raca, besimi, apo ideologjitë.

Kandidatet për marrjen e çmimit mund të propozohen nga njërit prej anëtarëve të jurisë ose mund të vetë kandidohen.


Mbi Unionin Shqiptar të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve

 

Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve – AUA u themelua si përgjigje ndaj nevojës për një përfaqësim të plotë të komunitetit të arkitektëve, urbanistëve dhe planifikuesve në Shqipëri. Ky komunitet i ri dhe në rritje, duke patur një vizion bashkëkohor mbi zhvillimet urbane dhe hapësinore në kontekstin Shqiptar dhe duke besuar në rëndësinë kulturore të të projektuarit, ka nevojë të përfaqësohet në situatën aktuale. AUA ka për synim të sigurojë një platformë demokratike diskutimi pasi ne besojmë se zhvillimi arrihet nëpërmjet debatit konstruktiv dhe sinergjive.

 

Fushat kryesore të mendimit dhe të veprimit të AUA janë të mëposhtëmet:

Përkrahja e ekselencës në arkitekturë dhe në planifikim, si instrumente të fuqishme për të transformuar dhe përmirësuar realitetin. Nxitja e aktiviteteve profesionale të arkitektëve shqiptarë të cilët përbëjnë një nga burimet më energjike të zhvillimeve të mëtejshme të vendit tonë.

 

Krijimi i një rrjeti serioz dhe efikas mes arkitektëve, planifikuesve dhe aktorëve kryesorë ekonomikë të skenës shqiptare. Kjo përqasje duhet të reazultojë në krijimin e mundësive konkrete pasi ndryshimet e vërteta mund të ndodhin vetëm nëpërmjet shpërndarjes së njohurive dhe praktikave.

Njohja e rëndësisë thelbësore të territorit shqiptar në terma të peizazhit, pranisë së infrastrukturës dhe të vendbanimeve. Këta faktorë duhet të kuptohen si mjete për të përcjellë specificitetet shqiptare në debatin europian mbi të ardhmen e qyteteve dhe të territorit.

 

Duke u mbështetur në parimet e mësipërme, AUA mbetet e hapur të angazhohet në përpjekje dhe aktivitete të përbashkëta me të gjithë aktorët që dëshirojnë të kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të re dhe të integruar të projektuarit dhe të ndërtuarit në Shqipëri dhe në Bashkimin Europian.

CATEGORIES:

Aktivitete-Nxitje

Tags:

Comments are closed

Latest Comments

No comments to show.