Vizioni i Unionit Shqiptar të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve
Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve – AUA u themelua si përgjigjje ndaj nevojës për një përfaqësim të plotë të komunitetit të arkitektëve, urbanistëve dhe planifikuesve në Shqipëri. Ky komunitet i ri dhe në rritje, duke patur një vizion bashkëkohor mbi zhvillimet urbane dhe hapësinore në kontekstin Shqiptar dhe duke besuar në rëndësinë kulturore të të projektuarit, ka nevojë të përfaqësohet në situatën aktuale. AUA ka për synim të sigurojë një platformë demokratike diskutimi pasi ne besojmë se zhvillimi arrihet nëpërmjet debatit konstruktiv dhe sinergjive.
Fushat kryesore të mendimit dhe të veprimit të AUA janë të mëposhtëmet:
Përkrahja e ekselencës në arkitekturë dhe në planifikim, si instrumente të fuqishme për të transformuar dhe përmirësuar realitetin. Nxitja e aktiviteteve profesionale të arkitektëve shqiptarë të cilët përbëjne një nga burimet më energjike të zhvillimeve të mëtejshme të vendit tonë.
Krijimi i një rrjeti serioz dhe efikas mes arkitektëve, planifikuesve dhe aktorëve kryesorë ekonomikë të skenës shqiptare. Kjo përqasje duhet të rezultojë në krijimin e mundësive konkrete pasi ndryshimet e vërteta mund të ndodhin vetëm nëpërmjet shpërndarjes së njohurive dhe praktikave.
Njohja e rëndësisë thelbësore të territorit shqiptar në terma të peizazhit, pranisë së infrastrukturës dhe të vendbanimeve. Këta faktorë duhet të kuptohen si mjete për të përcjellë specificitetet shqiptare në debatin europian mbi të ardhmen e qyteteve dhe të territorit.
Duke u mbështetur në parimet e mësipërme, AUA mbetet e hapur të angazhohet në përpjekje dhe aktivitete të përbashkëta me të gjithë aktorët që dëshirojnë të kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të re dhe të integruar të të projektuarit dhe të ndërtuarit në Shqipëri dhe në Bashkimin Europian.