Reagime Publike

Deklarate per shtyp mbi fillimin e punimeve per ndertimin e xhamise se re në qender të Tiranës

Në takimin e fundit të Unionit

Shqiptar të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të datës 9 Maj 2013, ndër temat e diskutuara ishte edhe qendrimi i Unionit mbi fillimin e punimeve per ndertimin e xhamise se re në qender të Tiranës. Nga anetaret u shprehen një seri shqetesimesh që kanë të bejnë me procesin e hartimit të këtij projekti. Këto shqetësime mund te përmblidhen në kater cështje kryesore.
Çështja Urbane

Mirëkuptojmë nevojën dhe dëshirën e komunitetit myslyman për të patur një objekt përfaqësues kulti, në qendër të Tiranës duke qenë se për momentin, bashkësitë e tjera fetare kanë tempujt e tyre kryesore në afërsi të qendres së qytetit. Megjithëse e kuptojme këte nevojë nuk mendojme se është e mjaftueshme për t’a ngarkuar akoma më shumë këtë zonë të qytetit e cila tashmë është e tejngopur nga mania e institucioneve për të patur një pozicion sa më qendror në qytet. Duke qenë gjithashtu se është miratuar tashmë një masterplan për zgjatjen e bulevardit kryesor të Tiranës, përtej stacionit të trenit, mendojmë se një tempull i kësaj rëndësie mund të gjente vendin e tij në këtë aks të ri, duke u kthyer në njërin nga monumentet që do të krijonin pamjen e Tiranës së të ardhmes.
Çeshtja Publike

Xhamia e re propozohet të ndërtohet në njërin ndër pak parqet e mbetura brenda unazes së Tiranës. Ky fakt përbën një çështje të një rëndësie publike që nuk është diskutuar mjaftueshëm duke mos dhënë si përfundim një argument bindës për humbjen e një tjetër hapësire të gjelbert. Mendojme se një qytet bashkëkohorë dhe europian siç dëshirojmë të kemi, nuk mund kurrësesi të shpërdorojë në një mënyrë kaq të paqendrueshme një burim të pa rinovueshëm siç janë parqet publike. Shëndeti dhe mireqenja e brezave të ardhshëm varet nga vendimet e marra në këtë moment. Per keto arsye mendojme se vendimmarrja për një ndërhyrje kaq të rendësishme duhet të kishta kaluar nëpër një serie diskutimesh publike e me ekspertet sepse ky projekt nuk do te ndikoje vetem komunitetin myslyman shqiptar por të gjithë banorët e qytetit.
Çështja Estetike dhe Gjuhësore

Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Pl

anifikuesve mendon se projekti i xhamise se re, që papritmas na u paraqit,  mbart disa probleme thelbësore në formën dhe në gjuhen arkitektonike që perdor. Komuniteti myslyman shqiptar dhe të gjithë besimtarët myslyman shqiptar, ndër vite kanë treguar se janë një komunitet i hapur dhe përparimtar, ku feja dhe besimi kanë luajtur një rol të rendësishëm në krijimin dhe ruajtjen e vlerave. Gjithashtu kanë treguar tolerancë dhe dashuri për vlerat e perbashketa kombëtare dhe europiane, vlera këto që i gjithë kombi ynë ndan. Historia e myslymanizmin në Shqipëri dhe vlerat e përbashkëta që ndajmë duhet të kishin gjetur vend edhe ne formen dhe pamjen e xhamise së re. Fatkeqsisht, kjo xhami duket sikur është shkëputur nga ndonjë lagje periferike e anadollit të ty shekujve më parë dhe është katapultuar papritur në Tiranë. Në të nuk shihet asnjë gjurme e karakterit të myslymanizmit Shqiptar, të historisë tonë të përbashkët apo të karakterit të qytetit të Tiranës. Eshtë për të ardhur keq që komuniteti myslyman, i cili historikisht ka qenë pararojë e zhvillimit, nuk arrin dot të zgjedhë një mënyrë bashkëkohore për të ngritur tempujt e tij, por bazohet në modele mediokre të marra hua nga periferitë e lindjes së mesme.
Çeshtja e Përzgjedhjes

Arsyet e komenteve të mësipërme nuk janë të pavarura edhe ng

a një tjetër problematikë. Projekti për xhaminë e re është zgjedhur pa konkurs. Ndërtesa që  me pamjen e saj të vjetëruar do të ndryshojë fytyrën e Tiranës duke zenë një tjetër park, është projektuar nga një arkitekt gjysëm anonim turk, i ftuar, e theksoj pa konkurs, nga komuniteti myslyman. Ky fakt është në vetëvete i papelqyeshëm sepse kthen mbrapsh perpjekjet shumëvjeçare të arkitektëve shqiptar për të krijuar një frymë konkurence të hapur nëpermjet konkurseve publike dhe ndërkombëtare. Këto konkurse, me kalimin e viteve, kanë ndihmuar në krijimin e një debati profesional e publik mbi te mirën dhe shijen e përbashkët. Me anë të këtyre konkurs

eve është kuptuar se arkitektura mund të kthehet në një vlerë për të gjithë qytetin dhe se roli i arkitektit mund të përmirësojë cilësinë e jetës. Me procesin e perzgjedhjes së këtij projekti shmanget momenti i përballjes dhe shkembimit të ideve duke e kthyer vendimmarrjen në të njëanëshme dhe veshtiresisht te pranueshme nga te gjitha palët. Le të marrim shembull mënyrën se si po projektohet xhamia e re e Prishtinës. Komuniteti myslyman i Kosoves shpall konkurs të hapur për projektimin e këtij tempulli duke treguar dëshiren për të qenë gjithëpërfshirës në vendimmarrje. Në këtë proces u paraqiten mbi 50 propozime te cilat ndikuan në bërjen pjesë edhe të aktorëve të tjerë në përzgjedhjen e projektit fitues.
Në përfundim, Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve, shpreh keqardhjen për rastin e humbur nga i gjithë qyteti i Tiranës për t’i përdorur këto nderhyrje të rëndësishme për të krijuar dhe forcuar imazhin e një qyteti bashkëkohor dhe Europian ku të gjithë qytetarët e tij ndajnë të mirat dhe pergjegjesite në zhvillimin e hapesires urbane.

 

 

Me respekt

Ark. Ledian Bregasi

 

Kryetari i Unionit Shqiptar të Arkitektëve

Urbanistëve dhe Planifikuesve

Comments are closed.